Fushatë sensibilizimi për shitësit ambulantë

Për disa ditë me radhë, Agjencia për Administrimin e Tregjeve në bashkëpunim me Policinë Bashkiake kanë dalë në terren në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit, me qëllim për të informuar dhe këshilluar tregtarët ambulantë mbi krijimin e hapësirave në tregjet publike të Bashkisë Tiranë, që ata të ushtrojnë aktivitetin e tyre në kushte sa më komode dhe pa pagesë, duke bërë të mundur kështu edhe kthimin e hapësirave si trotuaret apo rrugicat e lagjeve të ndryshme tek qytetarët e Tiranës. Tregtarëve i është dhënë çdo informacion i nevojshëm nga punonjësit e AAT dhe po ashtu ju janë shpërtndarë fletëpalosjet, për të shuar çdo kuriozitet që kanë.

Prej vitesh një nga problemet kryesore në rrugët e Tiranës, janë ambulantët që me produktet e tyre zënë hapësirat e qytetarëve, duke krijuar vështirësi në kalimin e tyre dhe duke ndotur ambientin. Ky aksion ka ndihmuar në sensibilizimin e tregtarëve, për hapësirat e lira në tregjet ekzistuese të Bashkisë Tiranë, por edhe për të dëgjuar nevojat e tyre dhe për t’ju krijuar kushte akoma më të mira në të ardhmen.

Mbi 75% e shitësve ambulantë janë treguar të hapur për të bashkëpunuar, duke dhënë numrat e tyre të kontaktit dhe duke qenë të gatshëm për të qenë pjesë e tregjeve tona. Tashmë AAT do të jetë vazhdimisht në terren, për të bërë të mundur realizimin me përpikmëri të këtij aksioni, në ndihmë të qytetarëve dhe tregtarëve.